Kryetari i ri i PD, Bardhi: Pa u mbledhur Këshilli Kombëtar s'mund të ketë zgjedhje

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 19:05 | Politikë
Kryetari i ri i PD, Bardhi: Pa u mbledhur Këshilli Kombëtar

Gazment Bardhi deklaroi se e ka respektuar vendimin e Kryesisë së PD për zgjedhjen e kryetarit të partisë më 29 Korrik, ndonëse ai vetë e braktisi mbledhjen, duke protokolluar vendimet e asaj nate. Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar që drejtoi këtë të hënë, Bardhi nënvizoi se do të respektojë me rigorozitet statutin e PD, duke bërë të qartë se pikërisht aty gjenden pengesat për kthimin e mundshëm të Lulzim Bashës në krye të partisë.

 “Komisioni Zgjedhor i Partisë emërohet nga Këshilli Kombëtar. Përgjigja ime e vetme është se Sekretari i përgjithshëm i PD është i vendosur të zbatojë statutin. Çdo kush tjetër që ka vendosur të ecë përpara në procese antistaturore, sigurisht që bën zgjedhjen e tij”, theksoi Bardhi.

Kur u pyet nëse Këshilli Kombëtar e ka apo jo kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur, ai deklaroi se pa vendimet e këtij organi, nuk mund të mbahen zgjedhjet për kryetarin.

“Nëse një parti politike nuk ka organin më të lartë vendimmarrës që drejton partinë mes dy kuvendeve nuk mund të organizojë asnjë proces zgjedhor”, shtoi ai.

Gazment Bardhi gjatë mbledhjes me deputetët, i njohu ata dhe me vendimin e kryesisë që u miratua pa praninë e tij dhe të disa anëtarëve të tjerë, sa i përket komandimit të kryetarëve të degëve që do të organizojnë zgjedhjet. Deputeti Saimir Korreshi, ngriti si shqetësim mungesën e emrit të tij si kryetar i degës Lushnje, pasi nga vendimi i Kryesisë, ai nuk rezulton më të jetë në krye të PD në këtë qytet.

Bardhi thotë se një vendim i tillë nuk është firmosur prej tij si sekretar i përgjithshëm.

“Unë nuk di pse është zëvendësuar njëri apo tjetri, unë nuk kam firmosur asnjë vendim të kësaj natyre dhe nuk do të firmosë asnjë vendim që bie ndesh me statutin e Partisë Demokratike”.

Bardhi theksoi se vetëm respektimi i statutit të partisë është mënyra e vetme për të mbajtur bashkë një forcë politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos