
Kryeministri Edi Rama, në 32-vjetorin e Partisë Socialiste, u shpreh se “sot e kremtojmë këtë ditë me fitoren më spektakolare të këtyre 32 viteve në aspektin e numrave”.
“Disa javë më parë, shqiptarët na dhanë mandatin për të qeverisur në 54 bashki dhe për t’u kujdesur për 95% të banorëve të Shqipërisë. Nuk është mjaftueshëm turi i mirënjohjes në të gjithë Shqipërinë, ku ka mbetur vetëm qershia mbi tortë: Tropoja. Tropojanët panë, gjykuan dhe votuan për herë të parë për veten e tyre, zhvillimin e komunitetit të tyre. Votuan për një Tropojë të rilindur, që do të ecë vetëm përpara përmes agroturizmit. Kështu votuan edhe dibranët, kuksianët, devollinjtë e me radhë, duke lënë prapa hijet kërcënuese të së shkuarës”, tha Rama.
“Në 14 maj, ne thuajse prekëm kuotën e 800 000 votave, rezultati ynë më i lartë ndonjëherë”, shtoi Rama.
“Përgëzoj kryebashkiakët tanë për mandatin që i dha populli, por dua t’i them se më shumë sesa merita e tyre individuale apo e jonë në tërësi, rezultati i bujshëm i 14 Majit është manifestimi i një pritshmërie të madhe të njerëzve, për një ndryshim të mëtejshëm, më të shpejtë, më të thellë dhe më gjithëpërfshirës. Duhet të ndihemi njerëzit më të nderuar e të privilegjuar në botë, që këtë pritshmëri të madhe, qytetarët e lidhin me ne. Kjo tregon shumë, në mesin e mandatit të tretë qeverisës, paçi mençurinë që ta kuptoni siç duhet”, theksoi më tej Rama. (A2 Televizion)