
Korça, së bashku me fshatrat e saj turistike, Voskopojën dhe Dardhën, mbeten ndër destinacionet më të preferuara për të kaluar festat e fundvitit. Këtë fakt e tregojnë më së miri rezervimet të cilat thuajse janë plotësuar në të gjitha hotelet dhe bujtinat që organizojnë darkat festive.
Por sa kushton të kalosh festat në juglindje të vendit, ndonëse masat dhe kufizimet e pandemisë, nuk të lejojnë të projektosh si duhet.
Në Voskopojë, bujtinat ofrojnë këto çmime: “7 mijë lekë të reja për një çift mëngjes, drekë, darkë dhe fjetje në ditë. Për fundvitin kemi prenotime për datën 31, që është prenotuar. Të shpresojmë që të mos kemi mbyllje”, thotë Andonfalo, administrator bujtine në Voskopojë.
Ndërsa në Korçë, çmimet janë më të kripura duke filluar nga ato bazë e deri tek ato më të shtrenjtat.
“Paketa për festa përfshin darkën festive, pishinë, darkën dhe mëngjesin. Rezervimi për dhomë standarde fillon nga 15 mijë leke të reja dhe shkon deri në 23 mijë leke të reja. Ka pasur kërkesa të shumta për rezervime. Paraprakisht, janë kryer 90% e rezervimeve”, thotë Enriketa Koçollari.
Natyrisht, këto janë çmime që përfshijnë vetëm pjesën e lokalit, pa llogaritur shpenzimet e rrugës. Dhe llogaritur me çmimet që ofrohen në rajon, Kosovë, Mal i zi apo edhe Turqi, duket se çmimet e paketave festive në Korçë shkojnë edhe më shtrenjtë.
Dhe natyrisht një prej arsyeve të rritjes së çmimeve, mbetet kërkesa e lartë për të kaluar festat në Korçë, pasi rregullat në kufi prej pandemisë e bëjnë të parehatshëm udhëtimin, sidomos për familjarë. (A2 Televizion)