
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, 1 në 10 fëmijë në vend vuan nga çrregullime, ndërsa vetëm 4 për qind e tyre janë të pajisur me certifikatë mjeko-ligjore.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, rreth 70 për qind e tyre ndjekin arsimin bazë, 20 për qind atë parashkollor dhe 10 për qind në arsimin e mesëm e të lartë.
Në vitin mësimor, 2019-2020 numri i fëmijëve me Aftësi të kufizuar në shkolla u rrit rreth 5%, krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 3,858.
Në rang kombëtar, 6.2% e popullsisë madhore në Shqipëri ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar. Në censusin e vitit 2011 rezultoi se në vend ka 170 mijë persona me aftësi të kufizuar mbi moshën 15 vjeç.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, në një studim të titulluar “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” jep një sërë rekomandimesh për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
Disa nga rekomandimet kryesore përfshijnë:
Përfshirjen e institucioneve qendrore në programe ndërgjegjësimi
Trajnime të stafeve mbi aftësinë e kufizuar
Ndërhyrje në ligjin për personat me aftësi të kufizuar
Hartimin e instrumenteve për vlerësimin e nevojave të tyre
Rritjen e stafeve dhe fondeve në dispozicion
Shoqatat në mbrojtje të personave me aftësi të kufizuar kanë raportuar se Covid-19 ka vështirësuar jetesën e tyre duke ndikuar drejtpërdrejtë te cilësia e shërbimeve që ata duhet të marrin. Aktualisht kjo kategori personash përfiton 10.653 lekë në muaj, shumë kjo e vlerësohet si e pamjaftueshme. (A2 Televizion)