
Gërryerja e shtratit të lumenjve sa nga erozioni natyral i lumit, po aq edhe nga dora njerëzore, që marrin zhavorrin, ka bërë që përveç prishjes së ekosistemit të rrezikohen seriozisht edhe urat që lidhin fshatrat dhe qendrat urbane. Një prej këtyre urave, është edhe ajo e Drashovicës në Vlorë. Tashmë, shtrati i lumit të Shushicës, ka gërryer këmbët e urës të cilat duket sikur qëndrojnë në ajër.
Për ambientalistin Simo Ribaj, të ardhurat ekonomike për një apo dy firma që gërryejnë dhe mosreagimi i institucioneve shtetërore mund të shkaktojnë pasoja deri në katastrofike, natyrore dhe në ndikimin e jetës dhe shëndetit të banorëve të zonës.
Për prefektin e Vlorës Flamur Mamaj, në Drashovicë nuk ka asnjë kambanë alarmi për gjendjen e urës, ose të paktën askush nuk i ka referuar një problematikë të tillë.
Urojmë që banorët, ambientalistët dhe pushteti vendor të rakordojnë përpara se ura të bëhet e pakalueshme apo më keq akoma përpara se të shembet dhe të rrezikojë edhe jetë njerëzish. (A2 Televizion)