Disa shtete po kërcënojnë të mos marrin pjesë në Samitin e Amerikave, një takim mes shteteve nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, që organizohet nga SHBA-ja. Arsyeja? Lista e të ftuarve!
Samiti, që organizohet një herë në tre vjet, këtë vit do të zhvillohet në Los Anxhelos dhe si vend organizator, SHBA-ja përpilon edhe listën e të ftuarve. Në prill, zv.Sekretari Amerikan i Shtetit, Brian Nichols, tha se përfaqësuesit e Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës, me shumë gjasë nuk do të ftoheshin, për shkak të regjimeve autoritare në këto vende.
Por edhe pse SHBA-ja synon të takohet vetëm me liderët e qeverive demokratike, edhe ata kërcënojnë me bojkot, nëse nuk ftohen të gjitha shtetet që janë pjesë e dy kontinenteve të hemisferës perëndimore.

Zëri më i fuqishëm kundër këtij vendimi të SHBA-së është Presidenti i Meksikës, Manuel Lopez Obrador. “Nëse ata përjashtohen, do të dërgoj një delegacion nga qeveria meksikane, por unë nuk do të shkoj”, tha ai të martën në një konferencë për mediat.
Samiti u organizua për herë të parë në vitin 1994. Kuba ka qenë gjithmonë e përjashtuar, deri në vitin 2015, kur Presidenti i atëhershëm, Barack Obama, mbylli një kapitull të Luftës së Ftohtë, duke u takuar me liderin kuban, Raul Castro, në Panama. Përfaqësuesit e ishullit u rikthyen në samitin e vitit 2018, por pritja nga administrata Trump ishte shumë më e ftohtë, madje zv.presidenti Mike Pence u largua nga salla kur fjalën e mori ministri i Jashtëm i Kubës.
SHBA-ja nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve në Venezuela dhe Nikaragua, madje Presidenti Nicolas Maduro është paditur për trafik droge. Por mungesa e Lopez Obrador do të ishte një goditje për samitin, për faktin që Shtetet e Bashkuara dhe Meksika ndajnë një vijë kufitare dhe kanë shumë interesa të përbashkëta.
Përveç Meksikës, edhe liderët e majtë të Bolivisë dhe Hondurasit thonë se nuk do të vijnë. “Nëse nuk jemi të gjitha shtetet, atëherë nuk mund të quhet Samiti i Amerikave”, shkroi në Twitter Presidentja e Hondurasit, Xiomara Castro. Ndërsa Presidenti i Guatemalës ka deklaruar tashmë që nuk do të paraqitet, pasi SHBA-ja i vendosi sanksione Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.
Edhe Brazili, një peshë e rëndë gjeopolitike, është në mëdyshje. Sipas Reuters, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se Presidenti Jair Bolsonaro nuk e ka vendosur ende nëse do të marrë pjesë. Nga ana tjetër, Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë “edhe nëse i shtrohet tapeti i kuq para këmbëve”. (A2 Televizion)