“Fillojmë nga këshillat bashkiakë”, Alibeaj në Kavajë: Shqipëria meriton një forcë të djathtë

Nga A2 CNN
20 Prill 2023, 15:35 | Politikë
“Fillojmë nga këshillat bashkiakë”, Alibeaj në

Kavaja njihet si një nga bastionet e Partisë Demokratike, por Enkelejd Alibeaj beson se ata që e kanë mbështetur me votë këtë forcë politike, nuk e kanë vënë re se ajo ishte larguar nga idealet e djathta.

“PD-ja nuk ka qenë ideologjikisht e qartë gjatë gjithë kësaj kohe. Tani është momenti. Tani është moment pikërisht ta krijojmë ashtu siç ky vend, kjo shoqëri, Shqipëria meriton: një forcë qartësisht të djathtë. Që beson në fe, beson në atdhe, beson në komb, e beson në familje”.

Mbështetësit i quan si një familje dhe para tyre pranon problemet e brendshme, por thotë se rikthimi i PD-së në pushtet do të jetë dhe fundi i tranzicionit.

“Është vetëm Partia Demokratike ajo që sot edhe pse e sulmuar nga të gjitha krahët, nesër është e vetmja shpresë, për rritjen dhe ku do të hidhet investimi i të gjithë atyre që ia duan të mirën Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Koha e regjimit të Edi Rames ka marrë fund. E mban në jetë Sali Berisha”.

Në shumicën dërrmuese të bashkive, grupimi i tij nuk merr pjesë në garën për kryetar. Alibeaj thotë se luftën do ta bëjë në terrenin e Këshillave Bashkiakë, ku gjithashtu jo kudo ka garuar.

“Kështu do fillojmë ne Partia Demokratike pak nga pak sot në këshillat bashkiakë e nesër në qeverisje. I kemi kaluar dikur këto situata do t’i kalojmë edhe tani ndaj është shumë e rëndësishme që të kemi përfaqësues dinjitoz në këshillin bashkiak njerëz që kanë reputacion njerëz të cilët kanë treguar dhe në të shkuarën e tyre, që janë njerëz që nuk bëjnë kompromis”.

Alibeaj kërkoi që asnjë votë të mos shkojë për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, pasi ky është një vendim politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos