
Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Dibër, Ismail Uka, në një intervistë me gazetarin Armand Bajrami për “Debat”, ka prezantuar platformën e tij për zgjedhjet e 14 majit.
Zoti Uka u zotua se nëse do të ulet në karrigen e kryetarit gjëja e parë që do të bëjë është ta kthejë bashkinë te qytetari.
Sipas tij, administrata aktualisht është në shërbim të kryetarit, dhe një pjesë e tyre janë në procese gjyqësore për abuzime me pushtetin lokal.
Po ashtu, ai bëri të ditur se në fokus për të do të jetë rregullimi i infrastrukturës në lagje dhe fshatra.
Ismail Uka akuzoi socialistët se po u bëjnë presion me vendin e punës qytetarëve që janë të punësuar në administratë. Sipas tij, drejtorë të drejtorive të përgjithshme në kryeqytet, kanë dhënë dorëheqjen paraprakisht nëse dalin humbës në zonat e tyre.
“Drejtori i tatimeve, postës, ARRSH, OSHEE, të instaluar në Dibër dhe nëpërmjet administratorëve, kanë marrë gjithë listat e votuesve dhe u shkojnë shtëpi më shtëpi duke u kërkuar që të votojnë Rilindjes. Në të kundërt ata që janë në punë, më 15 punë nuk do të jenë më në punë,” shpjegoi ai.
Por, cila është problematika kryesore në Bashkinë Dibër? Uka thotë se është shpopullimi.
“Peshkopia është bërë një qytet karantinë. Njerëzit janë të pashpresë. Kanë abuzuar me pushtetin kryetarët e bashkisë. Në dy mandate, janë eksperimentuar 6 kryetarë bashkish. Ata sot duhet të vijnë e të japin llogari.”
Ismail Uka u shpreh i bindur se në Dibër ka jo vetëm mbështetjen e demokratëve por edhe të vetë qytetarëve që e njohin personalisht.
“Bashkia Dibër nuk do të jetë më bashki që drejtohet nga Tirana. Vijnë e flenë në hotel një natë këtu, bëjnë ato qokat dhe kthehen.” (A2 Televizion)