Finalistët e Champions, të vegjël para Bayern, gjermanët shënojnë 7 gola në Londër!

Nga A2 CNN
1 Tetor 2019, 22:53 | Futboll
Finalistët e Champions, të vegjël para Bayern, gjermanët

Një ndeshje spektakolare ishte ajo e së martës në mbrëmje mes Tottenham dhe Bayern Munchen e vlefshme për Grupin B të Champions League.

Finalistët e një viti më parë nuk mund t’i bënin ballë furisë gjermane e cila fitoi në këtë ndeshje me rezultatin tenistik 2-7.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me Heung-Min Son, por ekipi i Kovaç nuk i la të shijonin avantazhin duke barazuar 3 minuta më vonë me Kimmich. Bavarezët e mbyllën pjesën e parë në avantazh me një gol të shënuar nga i përhershmi Lewandowski, i cili duket i rilindur këtë vit.

Në pjesën e dytë, vjen dhe momenti i Gnabry. Mesfushori gjerman shënoi dy gola në minutat 53 dhe 55 duke e çuar rezultatin në 1-4. Për vendasit shënoi Kane nga pika e penalltisë. Por duket se pas çdo goli të Tottenham, gjermanët angazhohen më shumë nga minuta e 83 në të 88-n bavarezët shënojnë dhe tre herë të tjerë, dy herë Gnabry dhe sërish polaku Lewandowski.

Në ndeshjet e tjera të kësaj mbrëmje Reali barazoi në Madrid me Clube Brugge 2-2, Atalanta shënoi humbjen e dytë në Champions përballë Shakhtar me rezultatin 1-2, Crvena Zvezda-Olympiacos 3-1, Atletico Madrid fitoi në transfertë ndaj Lokomotiv Moscow 0-2, Manchester City fitoi ndaj Dinamo Zagreb 2-0, ndërsa Juventusi bëri detyrën duke mundur 3-0 Leverkusen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos