
Në javën e fundit të sezonit të Kategorisë Superiore, kur nuk është caktuar ende fituesi, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të organizojë 3 ceremoni paralele të dorëzimit të titullit, në varësi të skuadrës që do të shpallet kampione.
“Duke parë se 90 minuta përpara fundit të sezonit në garë për titullin kampion janë katër skuadra, Komiteti Ekzekutiv vendosi organizimin e 3 ceremonive, në Ballsh, Durrës dhe Shkodër. Në të tre qytetet do të jetë trofeu i kampionit, zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që Presidenti Duka i cili do të dorëzojë trofeun, do të udhëtojë drejt stadiumit ku do të dorëzohet titulli menjëherë pas përfundimit të lojës së rregullt”, thuhet në njoftimin FSHF.
Në garë për titullin kampion janë Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi. Të mërkurën, durrsakët presin në fushën e tyre Apoloninë, Partizani udhëton për në Ballsh, ndërsa Vllaznia pret Laçin në “Loro Boriçi”. (A2 Televizion)