“Firo” nga Flamurtari, dy yje të ekipit drejt Kinës

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2019, 09:48 | Aktualitet
“Firo” nga Flamurtari, dy yje të ekipit drejt Kinës

Një skuadër drejt shpërbërjes. Yje të larguar mes akuzave për pagesa të prapambetura dhe gjyqe me vlerë qindra mijëra euro në horizont. Flamurtari vazhdon të jetë në situatë të paprecedentë, me dy yje të tjerë të skuadrës që largohen.

Mbrojtësi Albi Alla dhe sulmuesi Agustin Torasa nuk do të jenë më pjesë e kuqezinjve. A2 CNN mëson ekskluzivisht se Alla ka udhëtuar drejt Kinës, aty ku do të prezantohet te skuadra e Yanbian Funde.

Drejt të njëjtës skuadër edhe Agustin Torasa. Situata për argjentinasin është paksa më delikate, me pengesën e krijuar nga klubi, i cili nuk i jep leje-kalimin. E premtja e kaluar ishte afati që lojtarët i kishin vendosur klubit.

Në momentin kur pagesat e prapambetura nuk janë shlyer, lojtarët vendosën largimin dhe Kina ishte një zgjedhje e natyrshme, me trajnerin e Yanbian Funde, Park Tae-Ha, që i ka vëzhguar në aksion dy lojtarët dhe ka dhënë miratimin për transferimin.

Alla dhe Torasa i shtohen eksodit të vlonjatëve në këtë gjysmë të dytë të sezonit, pasi më parë nga Flamurtari u largua kapiteni Bushiç, Useini, Siljanovksi dhe sulmuesi Danilo Alvesh, i cili nuk pranoi të paraqitej në fazën përgatitore të janarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos