Në Brazil shifrat e përhapjes së koronavirusit po zmadhohen dita ditës, ku janë 11 mijë tashmë të infektuarit dhe rreth 500 të vdekurit, ndërkohë që vendi i Amerikës Jugore është ende në fazën fillestare të përhapjes.
Po ndërkohë që vendi i drejtuar nga “skeptiku” Bolsonaro ka filluar tashmë të marrë masat e para për parandalimin e pandemisë, në thellësinë e Amazonës disa fise të lashta dhe pothuajse të izoluara nga qytetërimi gjenden praktikisht të pambrojtura. Dhe rrezikojnë zhdukjen e tyre.
Dendësia e pyllit dhe kontaktet minimale me banorët e qyteteve nuk e ka penguar koronavirusin të shfaqej dhe të infektonte një person edhe në atë zonë me reliev të vështirë. Dhe tashmë fiset janë në panik, të paktën ato të cilëve i ka ardhur lajmi për virusin, që shumë e përfytyrojnë si një demon i padukshëm.
Të moshuarit e këtyre fiseve, si ato Yanomani, Awa, Kawahiva, por edhe shumë të tjera, mbajnë të gjithë trashëgiminë e kulturës dhe të teknikave të gjuetisë dhe ndërtimit të kasolleve në memorien e të moshuarve. Një përhapje e COVID-19 tek këto fise, me shumë mundësi do t’i zhdukte ato, nga fakti që shumë prej tyre nuk kanë antikorpe të mjaftueshme edhe për sëmundje të tjera të qytetërimit, dhe gjithsesi do t’ i duheshin mijëra kilometra për të arritur në një qendër spitalore.
Në vitet ’60, një epidemi fruthi vrau të paktën 10% të këtyre fiseve, që mbajnë mes tyre historinë e hershme të njerëzimit. (A2 Televizion)