Simbol i qëndresës së UÇK, vendoset pllakë përkujtimore në kullën e Cahanit në Has

Nga A2 CNN
5 Korrik 2025, 15:09 | Kulturë

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, fshati Cahan i Hasit rikthehet në qendër të kujtesës historike kombëtare.

Kulla e Elez dhe Fasli Cahanit, dikur vend-strehim për ushtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, është kthyer sot në një simbol të krenarisë dhe qëndresës.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Has, vendosi një pllakë përkujtimore në nderim të rolit që kjo kullë luajti gjatë luftës. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë figura të njohura të luftës dhe përfaqësues të komunitetit lokal.

Xhevdet Thaçi, kryetar i degës së OVL-UÇK-së në Has, theksoi rëndësinë strategjike të Cahanit në furnizimin dhe organizimin e UÇK-së, si një nyje kyçe drejt zonave të luftës dhe strehë për luftëtarët.

Mahir Hasani, ish-epror i UÇK-së, rikujtoi ditët kur çdo hap në Cahan mbartte rrezik, por edhe vendosmërinë për liri, shkruan A2 CNN.

Në emër të familjes Cahani, Imer Cahani shprehu mirënjohjen për këtë akt përkujtimor dhe për respektin ndaj sakrificës së familjes së tij. Ceremonia shënoi një tjetër gur themeli në ruajtjen e memories së luftës së UÇK-së dhe nderimin e atyre që dhanë gjithçka për lirinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos