Momente frike dhe paniku në Kuvendin e Kosovës. Një alarm për bombë shkaktoi ndërhyrjen e policisë dhe forcave speciale, që urdhëruan deputetët dhe ekipet mediatike që të largoheshin menjëherë nga godina. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u strehua në kryeministri, ndërsa nuk foli për gazetarët. Ndërsa disa deputetë të tjerë rrëfyen përjetimet e tyre.
“Gjendja e sigurisë në kuvend qe 5 vite e këndej është e papranueshme. Mund të hyjë kush të dojë, mund të del kush të dojë. Mund të futet çdo gjë që është e mundur”, tha Ganimete Musliu.
“Nuk është ndjenjë e mirë, është serioze. E marrim seriozisht. Edhe pse ka dyshime që mund të jetë kërcënim m rrejshëm”, shtoi Alban Zogaj.
“S’ka njeri normal që e sulmon institucionin e Kuvendit të Kosovës e që i sulmon deputetët”, deklaroi Time Kadrijaj.
Sekretari i Kuvendit Arben Loshi, sqaroi se kërcënimi kishte mbërritur në telefonin e një prej punonjësve të kuvendit me mesazhin se “bomba do të shpërthejë pas 10 minutave”. Forcat speciale, policia dhe njësitet K-9 kontrolluan godinën brenda dhe hapësirat e jashtme të parlamentit, përpara se prokurori i rastit të bënte këtë njoftim:
“Policia e Kosovës ka pranuar një njoftim nga zyrtarë të lartë të Kuvendit për një kërcënim me bombë. Gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Ka rezultuar që kërcënimi ka qenë fals.”
Prokurori Gashi sqaroi më tej se hetimet do të vazhdojnë dhe konfirmoi se telefonata mund të ketë ardhur nga një vend jo miqësor ndaj Kosovës.
“Hetimet do të vazhdojmë sa i përket prejardhjes së kërcënimit apo më mirë të themi thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, në gjuhën angleze me një aksent që ne mendojmë që është i shteteve jo mike, për momentin janë të gjithë këto informacione”, shtoi prokurori.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi tregoi procedurën e ndjekur për të garantuar sigurinë. Kjo nuk është hera e parë që ka një alarm të tillë. Disa javë më parë disa e-maile kërcënuese mbërritën në adresën e e-mailit të presidentes, Vjosa Osmani. Hetime për ato raste kanë nisur, por ende nuk dihen autorët. (A2 Televizion)