
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov njoftoi se Rusia do të dëbojë 10 diplomatë amerikanë, do të frenojë aktivitetin e grupeve jofitimprurëse të SHBA-së në vend dhe do të sanksionojë zyrtarët amerikanë në një seri masash që duken si përgjigje për sanksionet gjithëpërfshirëse të Presidentit Joe Biden kundër Kremlinit.
Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë me homologun e tij serb, Lavrov i përshkroi masat si një "përgjigje të mirë" ndaj SHBA-së.
"Dhjetë diplomatë ishin në një listë që pala amerikane na dorëzoi duke kërkuar që të siguronim largimin e tyre nga Shtetet e Bashkuara. Ne do t'i japim një përgjigje të mirë. Ne gjithashtu do të kërkojmë që 10 diplomatë amerikanë të largohen nga vendi ynë," tha Lavrov.
Lavrov tha gjithashtu se Rusia do të vendosë gjithashtu tetë zyrtarë amerikanë në një listë sanksionesh të premten më vonë, por pa specifikuar emra konkretë.
Lavrov shtoi se ndihmësi i lartë i politikës së jashtme të presidentit Vladimir Putin, Yury Ushakov, kishte rekomanduar që ambasadori amerikan, John Sullivan të kthehej në Uashington për të kryer "konsultime serioze".
SHBA njoftoi të enjten një sërë sanksionesh kundër Rusisë të cilat do të shënjestrojnë rreth 30 individë dhe entitete të caktuara. Mes masave të tjera, Shtëpia e Bardhë njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve rusë.
Burimet thonë se e gjitha kjo është në kundërpërgjigjie ndaj sulmeve kibernetike të Rusisë, përfshirë ndërhyrjen e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. (A2 Televizion)