
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.
Sikurse është njoftuar, Merkel është imunizuar me AstraZeneca, vetëm dy javë pasi autoritetet e kanë rekomanduar atë vetëm për personat mbi moshën 60 vjeç.
AstraZeneca është një nga vaksinat më të komentuara për shkaqe anësore si tromboza dhe mpiksja e gjakut. Shumë vende si Franca dhe Italia kanë limituar përdorimin e saj, ndërsa Danimarka e ka bllokuar përfundimisht. Arsyeja lidhet me rastet e trombozës që paraqiten në veçanti te moshat më të reja.
Agjencia Europiane e Barnave, EMA, ka pranuar javën e kaluar efektet e mundshme negative të vaksinës së krijuar në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit, por kishte vlerësuar që benefitet ishin më të mëdha sesa efektet negative.
Ndërkaq situata me Covid-19 në Gjermani është shumë serioze. Kështu kancelarja, Angela Merkel, u bëri thirrje ligjvënësve që t’i aprovojnë asaj fuqi të reja që i lejojnë të vendosë në zbatim izolime dhe shtetrrethime me orar në zona me nivele të larta infeksioni.
Liderja gjermane pretendoi se shumica e qytetarëve janë në favor të kufizimeve më strikte. (A2 Televizion)