Flamurtari sjell në Vlorë ish-futbollistin e Milanit

Nga A2 CNN
20 Janar 2020, 13:36 | Futboll

Lojtarë që luajnë pa u paguar, vendi i fundit në Kategorinë Superiore, ku janë skuadra e vetme që nuk kanë fituar asnjë ndeshje dhe merkato e bllokuar nga FIFA. Flamurtari është në pikën më të ulët, e megjithatë drejtuesit e klubit vazhdojnë të bëjnë premtime të mëdha. Vetëm pak orë pasi administratori Sinan Idrizi deklaroi se në Vlorë do të mbërrijnë dy ish-lojtarë të Milanit, zbulohet edhe emri i parë.

Taye Taiwo është futbollisti i parë që pritet t’i bashkohet kuqezinjve. Një lojtar me të kaluar të madhe, sepse pas eksperiencës së gjatë te Olympique Marseille, ku ka fituar edhe një titull kampion në Francë dhe ishte shok ekipi me Lorik Canën, ka mbrojtur edhe ngjyrat e Milanit në nga viti 2011 deri në 2013, duke luajtur vetëm 4 ndeshje.

Mbrojtësi i majtë ka luajtur edhe te Queens Park Rangers në Angli, Lausanne në Zvicër, ukrainasit e Dynamo Kyiv, Bursaspor në Turqi dhe HJK Helsinki në Finlandë. Deri më 23 dhjetor 2019, Taiwo u aktivizua në kategorinë e katërt italiane, që është niveli më i lartë i ligave amatore. Një rënie e pabesueshme për një futbollist që regjistron edhe 54 ndeshje me fanellën e përfaqësueses së Nigerisë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, skuadra modeste e Seregno-s vendosi ta largojë Taye Taiwo në mes të sezonit, vetëm me një mesazh në “WhatsApp”. Presidenti i klubit i kërkoi 34-vjeçarit të dorëzonte automjetin, ndërsa më pas lojtari mësoi edhe prishjen e kontratës.

Flamurtari e reklamon si afrimin e madh të merkatos së janarit, por mbetet për t’u parë nëse klubi do të arrijë të heqë dënimin e FIFA-s dhe nëse Taiwo do të shfaqet si futbollisti i niveleve të larta të para një dekade, apo si zhgënjim edhe mes amatorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos