“Flluska” e OFL, pas mjetit “BMW”, Lulëzim Berishës i kthehen 1,2 mln litra karburant

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2020, 17:27 | Kronikë
“Flluska” e OFL, pas mjetit “BMW”, Lulëzim

Prokuroria e Durrësit liroi nga sekuestroja një sasi prej 1,2 mln litra karburant të një shoqërie tregtare ku është aksioner ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha.

Sasia e madhe e karburantit e shoqërisë “Rajan 2007” u bllokua pasi Berishës iu dorëzua formulari nga Operacioni Forca e Ligjit në shkurt të këtij viti. Ndaj shoqërisë në fjalë nisi një hetim për “fshehje të të ardhurave”, pas dyshimeve se kishte tregtuar karburant pas 13 shkurtit, ditë kur iu pezullua licenca me kërkesë të Policisë së Shtetit.

Hetimi i nisur në SPAK u delegua më pas për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, ku dyshimet nuk u provuan. Së fundmi, kjo prokurori vendosi të çlirojë nga sekuestroja 1,2 milionë litra karburant dhe kthimin e sasisë te shoqëria tregtare. Vendim i Prokurorisë u parapri nga një tjetër fitore e Berishës në Gjykatën Administrative të Apelit, që në tetor i ktheu licencën e hequr shoqërisë “Rajan 2007”.

Më herët, Lulëzim Berisha rifitoi edhe automjetin e tij “BMW” të blinduar, që iu sekuestrua nga agjentët e OFL. Gjykata e Posaçme vlerësoi se mjeti ishte siguruar në burime të ligjshme financiare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos