
Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga një 23-vjeçar, i cili akuzohet se ka marrë peng një 53-vjeçar në një banesë në kryeqytet.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se, ata kishin komunikuar në rrjetet sociale dhe pasi janë takuar, i riu ka nxjerrë thikën duke e kërcënuar 53-vjeçarin, për ta dërguar në një banesë private.
Më pas, aty ai i ka marrë me dhunë celularin që ky i fundit posedonte. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Brryli”. I hoqi lirinë një shtetasi duke e kërcënuar me mjet prerës dhe i mori me dhunë celularin atij, vihet në pranga 23-vjeçari. Sekuestrohen 2 aparate celulare dhe 1 mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit nga një 53-vjeçar, për një shtetas që i kishte hequr lirinë duke e kanosur me thikë dhe i kishte marrë me dhunë celularin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brryli”, për zbardhjen e këtij rasti.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. T., 23 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 53-vjeçari është takuar me shtetasin A. T., te Brryli, pasi kishin komunikuar në rrjetet sociale, dhe më pas shtetasi A. T., duke e kanosur me mjet prerës (thikë), e ka dërguar atë në një banesë private, në zonën e Ali Demit, ku më pas i ka marrë me dhunë aparatin celular.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare dhe 1 mjet prerës (thikë). Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Tiranës. (A2 Televizion)