
Organizata gjermane, Friedrich-Ebert- Stiftung në partneritet me Institutin Europian për Paqe, publikuan një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Mes pikave më të rëndësishme mund të përmendet fakti që formimi i tij duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe që të formohet duhet të ketë edhe pëlqimin e qeverisë.
Gjithashtu shkruhet se mes financuesve të asociacionit të komunave serbe në Kosovë mund të jetë edhe shteti i Serbisë.
Kreu i fondacionit gjerman, Rene Schlee, tha se kjo është vetëm një pikënisje për diskutime. “Objektivi ynë ka synim lehtësimin e diskutimeve duke u bazuar në propozimin konkret. Nuk ka pasur shumë progres, deri sot askush nuk ka prezantuar një propozim konkret”, ka thënë ai.
Publikimi i këtij drafti po bëhet përpara diskutimit për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku kjo e fundit ka ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, qeverisë e përfaqësues politikë që të diskutojnë për ketë temë. (A2 Televizion)