
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon qeverisë të rrisë fondin e zgjedhjeve me 3 miliardë lekë. Kërkesa erdhi nga Ilirjan Celibashi i cili u shpreh se këto para do të përdoren për votim dhe numërim elektronik në 6 bashkitë më të mëdha të vendit, rezultati i të cilave mban varur edhe fatin politik të partive garuese.
“Në 6 bashki kemi menduar që mund të zgjerohet procesi edhe në 6 bashki të tjera, kryesisht janë bashki të mëdha, Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Shkodra dhe Fieri”, tha Celibashi.
Nëse shtesa nuk miratohet, fondi i parashikuar prej 2.3 miliardë lekësh gjithsesi mundëson përdorimin e elektronikës vetëm në Bashkinë e Vorës, për të cilat aparaturat tashmë ekzistojnë.
Opinioni që kreu i KQZ-së nuk pranoi të shprehte, lidhej me pyetjen se kush përfaqëson partinë më të madhe opozitare. Celibashi refuzoi të deklaronte se cilën PD do të regjistronte në zgjedhjet e ardhshme, duke pritur shkresat që do t’i vijnë nga gjykata. Një ide gjithsesi e dha kur u pyet nga A2 CNN se cili përfaqëson PD-në aktualisht pranë KQZ, mes të dërguarit të Alibeajt dhe atij të Berishës.
Pyetja e A2 CNN: Z. Celibashi kush e përfaqëson sot PD në KQZ, z. Marash Logu apo z. Ivi Kaso?
Celibashi: Zoti Marash Logu!
Në konferencën për shtyp, Celibashi pohoi se nuk sheh një rrezik që lista e zgjedhësve të cenohet nga sulmet kibernetike të muajve të fundit. (A2 Televizion)