Formacioni kuqezi, Reja ka gati skemën anti-Turqi, Roshi zëvendëson Hysajn

Nga A2 CNN
8 Tetor 2019, 13:51 | Futboll

Ndaj Turqisë, njësoj si në ndeshjen me Islandën. Trajneri Edy Reja ka pak dyshime për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës më 11 tetor. Problemi i vetëm mbetet zëvendësimi i kapitenit Elseid Hysaj, që pas dëmtimit horror gjatë fundjavës, humbi ndeshjet e radhës me Kombëtaren.

Lojtari i Napolit, i improvizuar në një rol më të avancuar në pesëshen e mesfushës, pritet të zëvendësohet nga Odise Roshi. Një aktivizim i ngjashëm si ai me Francën, por me yllin kuqezi që këtë herë do të luajë në pozicionin e tij natyral. Roshi është një mesfushor i mirëfilltë krahu, por duke vlerësuar specifikën e skemës dhe forcën e kundërshtarit, 28-vjeçarit do t’i duhet të sakrifikojë më tepër në fazën mbrojtëse.

Përsa i takon pjesës tjetër të formacionit, Reja i qëndron besnik ekipit që fitoi 4-2 ndaj Islandës, gjatë muajit shtator. Ismajili, Dermaku dhe Gjimshiti do të rreshtohen përpara portierit Strakosha. Në mesfushë konfirmohet treshja e përbërë nga Bare, Gjasula e Memushaj, që përveç forcës fizike garantojnë dhe cilësi, me Lenjanin që do të luaj nga krahu i majtë. Sulmi mbetet i pandryshuar me Cikalleshin dhe Manajn, të cilët do të ndihmojnë shokët sa herë të jetë nevoja kanë, pa harruar edhe detyrën të finalizojnë kundërsulmet e kuqezinjve.

Turqia dhe Shqipëria përballen në Stamboll, mbrëmjen e 11 Tetorit. Turqit kryesojnë Grupin H kualifikues me 15 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa kuqezinjtë pozicionohen në vendin e katërt me 9 pikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos