
Fitorja ndaj Juventusit do t’i lejojë Interit që të jetë në garë jo thjesht për një, por për dy trofe. Pas suksesit ku ishte finalistja e parë e Kupës së Italisë, Interi kandidohet njëkohësisht edhe për fitimin e Superkupës.
Kjo pas ndryshimit të formatit të këtij trofeu, që prej edicionit të ri nuk do të jetë më një finale e thjeshtë ndërmjet ekipit kampion të Italisë dhe fituesit të Kupës. Duke marrë shembullin e Spanjës, edhe Italia do ta zgjerojë eventin, duke e organizuar me përballjen ndërmjet katër skuadrave.
Një Final Four e mirëfilltë, e përdorur fillimisht në Nations League nga UEFA dhe e përshtatur nga spanjollët. Aty do të luajnë ekipi kampioni Serie A, skuadra që e mbyll kampionatin në vendin e dytë, por edhe dy ekipet finaliste të Kupës së Italisë, pavarësisht se cili do ta fitojë trofeun.
Ndeshjet do të organizohen në formën e dy gjysmëfinaleve, nga të cilat më pas do të përcaktohen edhe dy skuadrat finaliste, që do të luftojnë për të fituar Superkupën. Për të rritur vlerën financiare, eventi do të zhvillohet në Arabinë Saudite.
Vlera e përgjithshme e Superkupës është përllogaritur në 23 milionë euro, që do të ndahen mes katër skuadrave të pranishme. Vetëm nga pjesëmarrja, ekipet përfitojnë nga 4 milionë euro menjëherë, ndërsa fituesit e trofeut do të përfitojnë në arkat e tyre është 7 milionë euro të tjera. (A2 Televizion)