
Vendi ka një nevojë urgjente për të diversifikuar burimet e energjisë elektrike. Ky është edhe prioriteti që ka vendosur qeveria, në kushtet e një varësie të lartë nga reshjet.
Objektivi u prezantua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës hapëse të konferencës ndërkombëtare të Kartës së Energjisë.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi se është e rëndësishme për vendin të zhvillojë projekte të reja në energji, por pa cenuar pasuritë natyrore dhe pa dëmtuar turizmin.
Shqipëria mban këtë vit presidencën e Kartës së Energjisë. Ndër objektivat e zhvillimit përfshihet ndërlidhja me rrjetet rajonale të energjisë dhe krijimi i një tregu energjetik konkurrues.
Çdo vit, organizata përgatit edhe një raport ku mat performancën e secilit prej vendeve anëtare dhe objektivave që duhen arritur. (A2 Televizion)