
Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, ka shënuar një performancë të mirë në vitin e parë të veprimtarisë së saj.
Vlera e tregtimit të letrave me vlerë të qeverisë arriti në 2.5 miliardë lekë në vitin 2018.
Të dhënat tregojnë se transaksionet mes bankave dominojnë edhe pjesën më të madhe të vlerës së tregut, duke rrëmbyer 55.6% të totalit.
Sa i takon maturimit nga obligacionet e thesarit, titujt më aktivë sipas të dhënave rezultojnë ato me maturim 5 dhe 10-vjeçar sa i përket numrit të transaksionve, ndërsa ato me maturim 7-vjeçar janë dominuese në drejtim të volumit dhe vlerës së tregtuar.
Pjesa më e madhe e transaksioneve janë kryer në monedhën vendase, krahasuar me ato në euro. Kjo ka ardhur për shkak të kostove të larta që kanë transfertat e vlerave monetare në valutë të huaj.
Rrugëtimi drejt krijimit të bursës shqiptare
Shqipëria është vendi i fundit në rajon që u bë me treg funksional kapitalesh. Përjashtim bën vetëm Kosova, si një shtet i ri.
Në fakt, rrugëtimi i të vetmes bursë që ne kemi daton që në 1996, kur u krijua si një departament në Bankën e Shqipërisë, për t’u shkëputur më pas si një institucion më vete në vitin 2002. Por që ,mbeti inekzistent dhe pa asnjë kompani të listuar deri në vitin 2014, kur iu pezullua edhe licenca nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Pikërisht në këtë periudhë nisi të marrë jete edhe projekti i bursës private, asaj që sot njihet si ALSE dhe që u mbështet financiarisht nga 3 institucione financiare, dy prej të cilave janë banka dhe një jobankë. Bursa Shqiptare është e licencuar nga AMF për të gjitha llojet e titujve, përfshi këtu letrat me vlerë të qeverisë. (A2 Televizion)