
William Argeros, njeriu që ndihmoi në realizimin e fotos mes atëherë presidentit amerikan Barak Obama dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama është dënuar me 4 muaj burg.
Avokati i Argeros, John Azzarello, sipas raportimit të Associated Press, ka deklaruar se klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për kryeministër shqiptar, që donte një foto me Barack Obamën. Azzarello deklaroi që kandidati ishte Edi Rama, kryeministri i sotëm shqiptar.
Shtetasi amerikan transferoi nga jashtë kufijve një shumë prej 80 mijë dollarësh, që u derdhën si donacion në favor të fushatës elektorale të Obamës në vitin 2012-të, në këmbim të fotos më Ramën.
Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federal. Zëri i Amerikës kujton se William Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje.
Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e kryeministrit shqiptar mohoi të ishte burim i kontributeve. Sipas zyrës së prokurorit amerikan donacionet ishin dhënë në emër të shtetasi shqiptar me vendbanim në Nju Xhersi, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017. (A2 Televizion)