
Transporti do të vazhdojë të jetë i bllokuar në Francë për të dytën ditë radhazi, ndërsa greva mbarëkombëtare më e rëndë në vite, vazhdon.
Shërbimi hekurudhor dhe ai ajror pritet të preken nga anulime e vonesa. Punonjës të sektorëve të ndryshëm protestojnë kundër reformës në pensione. Operatori i autobusëve dhe metrove në Paris ka thënë se greva e tyre do të zgjasë të paktën deri të hënën.
Më shumë se 800 mijë njerëz dolën nëpër rrugë të enjten sipas policisë, e përleshje të dhunshme u raportuan në disa qytete. E megjithatë, liderët e sindikatave këmbëngulin për një shifër më të lartë, rreth 1.5 milionë.
Francezët janë të zemëruar me planin e Macron për të prezantuar një sistem universal pensionesh që do të zëvendësojë sistemin aktual me 42 skema të ndryshme në sektorët publikë e private.
Trazirat kanë detyruar mbylljen e zonave turistike, përfshirë kullën Eiffel. Në Paris u raportuan vandalizime të objekteve dhe policia përdori gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Në total, 71 persona u arrestuan rreth kryeqytetit. Përleshje pati edhe në Nante, Bordeaux dhe Rennes. (A2 Televizion)