Kohë festash në SHBA, ndizen dritat në New York dhe Washington

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2019, 12:16 | Bota

Sezoni festiv nisi zyrtarisht në qytetin e Nju Jorkut në 4 dhjetor, me inaugurimin e pemës së Krishtlindjeve pranë qendrës “Rockfeller”. Mijëra njerëz sfiduan të ftohtin për të parë mbi 50 mijë dritat të ndizeshin në pemën ikonë që këtë vit është 23.4 metra e lartë. Në majë të saj është vendosur një yll 408 kilogram, i mbuluar me 3 milionë kristale Swarowski.

E dhuruar nga një familje në qytezën e Floridas në Nju Jork, pema vlerësohet të jetë rreth 75 vjeçare dhe peshon gati 12 tonë. Tradita në qendrën “Rockfeller” daton që prej 1933-shit.

Gwen Stefani, Bon Jovi dhe John Legend ishin mes artistëve që performuan në çelje të sezonit festiv.

Edhe Kongresi amerikan hyri në shpirtin festiv të mërkurën, duke inaguruar pemën e Krishtlindjeve në një ceremoni të drejtuar nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Është një nder të jem me të gjithë ju në këtë event të gëzueshëm kur shqetësimet duken kaq të largëta”, tha Pelosi.

Këtë vit, pema 18 metra e lartë u ofrua nga shteti i Nju Meksikos dhe u dekoruar nga mijëra zbukurime të përgatitura nga vetë qytetarët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos