Franca në flakë, Mbreti Charles shtyn vizitën

Nga A2 CNN
24 Mars 2023, 14:43 | Bota
Franca në flakë, Mbreti Charles shtyn vizitën

Reforma në pensione ndez zemërimin në Francë. Mbi 1 milion njerëz nëpër rrugë, 120 mijë prej të cilëve në Paris, 80 të arrestuar, mbi 120 të plagosur dhe objekte në flakë. Është ky bilanci i një dite të zjarrtë, teksa francezët kundërshtojnë planet e Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Pamjet më dramatike erdhën nga qyteti i Bordo-së ku godinës së bashkisë ju vu zjarri. Në Paris, demonstratat kryesisht paqësore u shënuan nga episode të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve të maskuar, të cilët thyen xhamat e dyqaneve, shkatërruan objekte nëpër rrugë dhe sulmuan disa dyqane.

Polica hodhi gaz lotsjellës ndërsa u qëllua me fishekzjarrë dhe objekte të tjera. 33 persona u vunë në pranga në kryeqytet.

Protestat penguan  transportin hekurudhor, ajror e rrugor, ndërsa punonjës të aeroportit Charles de Gaulle Airport dhe mësuesit, ju bashkuan grevës. Atraksione turistike të tilla si Kulla Eiffel dhe pallati IVersajës u mbyllën gjatë së enjtes. 

Sindikatat dhe partitë e majta e cilësuan këtë si një ditë të suksesshme, por qeveria po shpreson që do të ketë zbehje të momentumit, apo që shpërthimi i dhunës do të largojë qytetarët nga protesta.

Sindikatat kanë kërkuar manifestime të mëtejshme të martën e ardhshme, që do të koincidonin me vizitën shtetërore të Mbretit Charles në vend. Autoritetet u përpoqën të shuajnë shqetësimet duke garantuar që vizita do të zhvillohet pa problem dhe se monarku është i mirëpritur.

Presidenti Macron tha një ditë më herët se reforma në pensione është domosdoshmëri dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos