
Nga mbrojtja në kundërsulm. Është ky plani i forcave të Kievit, pasi përpjekja disamujore e Rusisë për të pushtuar qytetin e Bakhmut në lindje të vendit ka ngecur. Një komandant i trupave ukrainase deklaroi se së shpejti do të kundërsulmonin, pasi i rezistuan ofensivës brutale të Rusisë.
“Mercenarët rusë të Wagner, të cilët kanë drejtuar ofensivën në Bakhmut po e humbasin fuqinë dhe energjinë. Shumë shpejt do të përfitojmë nga kjo mundësi, ashtu siç bëmë në të kaluarën pranë Kievit, Kharkiv dhe Kupiansk”, tha koloneli Oleksandr Syrskyi.
Ushtria ukrainase tha më herët gjatë së premtes se mbi 1000 ushtarë rusë ishin vrarë gjatë 24 orëve të fundit, teksa ndërmerrnin sulme të pasuksesshme në qytezat e Liman, Avdikia, Marinka dhe Shakhtarske. Por fokusi kryesor mbetej ende qyteti i minierave, Bakhmut.
Presidenti Volodimir Zelensky paralajmëroi se nëse nuk do të kishte përshpejtim të furnizimeve me armë, lufta mund të zgjasë me vite.
“Nëse Europa heziton, e keqja do të fitojë kohë për t’u rigrupuar dhe për të përgatitur vite të tjera luftë. Është në dorën tuaj ta ndaloni këtë”, deklaroi lideri ukrainas.
Në samitin e Bashkimit Europian, liderët aprovuan një plan të dakordësuar nga ministrat e Jashtëm ditën e hënë për t’i dërguar Ukrainës 1 milion predha artlerie gjatë vitit të ardhshëm.
Britania e Madhe është zotuar të furnizojë Kievin me municione që përmbajnë uranium të varfëruar, një hap që sipas Rusisë do të përbënte deklaratë lufte.
Sllovakia sakaq tha të enjten se kishte dorëzuar 4 avionët e parë të luftës MiG 29 në Ukrainë, me pjesën tjetër që pritet të dërgohet javët në vazhdim. (A2 Televizion)