
Personeli ushtarak shqiptar dhe ambasadorja e Francës në vendin tonë, kanë zhvilluar një vizitë në fregatën franceze, e cila u ankorua një ditë më parë në portin e Durrësit, në kuadër të misionit që kjo anije luftarake ka në detin Mesdhe.
Me këtë rast ambasadorja franceze ka dhënë edhe mesazhin e vizitës së një prej pesë anijeve të tilla polivalente që kryejnë kryesisht misione të fshehta mbikëqyrje dhe zbulimi.
Sipas ambasadores franceze, vizita e fregatës polivalente nuk ka të bëjë me konfliktin e armatosur në Ukrainë, pasi ishte e programuar shumë kohë më parë.
Ndërkohë për kundëradmiralin e flotës detare shqiptare, kjo vizitë do të ndihmojë në rritjen e shkallës së trajnimeve për efektivët e flotës luftarake detare shqiptare.
Anija franceze është një nga pesë fregatat e tipit “La Fayette” të Forcës së Veprimit Detar. Si një anije luftarake e fshehtë dhe polivalente, ajo mund të operojë veçanërisht në misione të mbikëqyrjes detare dhe zbulimit. (A2 Televizion)