
Të punësuarit që refuzojnë të kthehen në vendet e tyre të punës pasi janë të shqetësuar se mos infektohen me koronavirusi nuk do të përfitojnë nga paketa ndihmëse për papunësinë. Kështu paralajmërojnë zyrtarët amerikanë dhe ekspertët e ligjit të punës.
Shumë punëtorë do të përballen me një situatë të tillë gjatë kësaj jave në një kohë kur shumë vende po mendojnë të lehtësojnë masat shtrënguese për të rikthyer në jetë ekonominë e paralizuar nga pandemia.
Sipas një urdhri të guvernatorit republikan të Georgia-s, Brian Kemp, berberët, palestrat, sallonet e bukurisë do të hapen nga e premtja, ndërsa restorantet mund të fillojnë punë ditën e hënë.
Karolina e Jugut do të lejojë hapjen e dyqaneve me pakicë nga java e ardhshme ndërkohë që edhe në Teksas dhe Tennesse do të ketë lehtësim të masave.
Zyrtarët e shëndetit publik paralajmërojnë se hapja e bizneseve lokale pa testimin e duhur do të ekspozojë më shumë njerëz drejt pandemisë e cila ka infektuar deri tani mbi 870 mijë amerikanë dhe iu ka marrë jetën 50 mijë të tjerëve. (A2 Televizion)