
Cili është misteri i mutacionit të Sars-COV-2, që po tremb opinionin publik britanik, por jo vetëm, dhe që duket sikur ka një shpejtësi përhapje shumë më të madhe se ajo klasike?
Mutacioni “britanik“ nuk ka habitur shumë Laidon Shapon, ekspertin e shëndetësisë në Londër.
“Mutacionet në viruset me ADN dhe RNA janë normale. Mutacioni në Britani nuk është i papritur dhe nuk ka lidhje me vaksinimin. Mutacioni është kapur fillimisht në Kent, gjatë muajit nëntor, dhe tashmë është shpërndarë në të gjithë ishullin”, thotë ai për A2.
Sipas tij, “kemi të bëjmë me një variant më të sofistikuar se ai i marsit, deri në 70% më i transmetueshëm, jemi përballë një lëvizje të "mençur" të virusit, që ndryshon fytyrë për të mbijetuar”.
Vendet e BE-së, por tashmë dhe Shqipëria, po marrin masa kufizuese të fluturimeve nga Britania e Madhe, por për Shapon, “nuk garantohet që mutacioni nuk është shpërndarë, kështu që vendet do të bënin mirë të gjurmonin dhe kryenin sekuencat gjenetike për të kuptuar se ku janë”.
Për sa i përket pasojave që mutacioni mund të ketë në efektivitetin e vaksinave që po përpunohen, Shapo shton se, "me aq sa dihet vaksina arrin t’i përgjigjet ndryshimeve virale në proteinë, por sesi do të shkojë me ndryshimet e fundit mbetet për t’u parë. Procesi i vaksinimit nuk vihet në dyshim, por mutacioni do ta vërë në një proces vëzhgimi të vazhdueshëm", në një vend ku nga 7 dhjetori rreth 138 persona, më së shumti personel shëndetësor dhe mosha e tretë, e kanë marrë vaksinën". (A2 Televizion)