
Pasi je shëruar nga koronavirusi, e dyta që ka rëndësi pas shëndetit është puna. Por, a të rrezikohet vendi i punës pas ditësh të tëra izolim si i infektuar, ose rast kontakti?
Epidemiologët qetësojnë popullatën dhe thonë se në këtë periudhë pandemie aplikohet një raport i veçantë. Ky dokument ndryshe nga raportet e tjera mjekësore, jo vetëm justifikon qëndrimin në karantinë, por të garanton marrjen e plotë të pagës.
Mjeku Rexhep Muja tregon se raporti, si për të shëruarit nga koronavirusi ashtu dhe për personat e kontaktit që u kërkohet izolim, lëshohet vetëm nga epidemiologu i njësisë vendore të kujdesit shëndetësor. Nëse do të jenë 14 ditë, 21 apo 1 muaj izolim për të infektuarit dhe rastet e kontaktit kjo varet nga ecuria e sëmundjes.
Çdo ditë në Tiranë 500 personave u kërkohet karantinë, pasi rezultojnë të infektuar me koronavirus, ose janë raste kontakti. Ndërsa deri tani në kryeqytet janë të sëmurë aktivë mbi 2 mijë persona, por shifra e të izoluarve është më e lartë pasi mbahen në monitorim familjarët dhe personat që kanë pasur kontakt. (A2 Televizion)