
Fshati Lubonjë vetëm 3 km nga bashkia e Selenicës, si shumë fshatra të tjerë po përjeton braktisjen masive të banorëve të dikurshëm. Dikur ky fshat mblidhte banorë nga i gjithë vendi, pasi regjimi komunist internonte atje familje nga veriu dhe Shqipëria e mesme.
Dje kjo bëri që Lubonja të kishte mbi 1 mijë banorë dhe për këtë arsye u ndërtuan edhe pallate. Sot edhe pse fshati ka një rrugë të shtruar dhe ujë në banesa, banorët e kanë braktisur. Ata që kanë mbetur tregojnë arsyet e këtij shpopullimi.
“Nga ‘90 e këtej u ndanë, ikën komplet të rinjtë, kanë mbetur vetëm pleq. Ku do të ushqehen?”, thotë një nga banorët e mbetur.
“Kanë ikur të tërë vetëm pleq kanë mbetur”, thotë një banore.
“Lubonja ka qenë heterogjene, kanë qenë 250 familje në ‘91 sot janë gati 100”, shprehet një tjetër.
“Nuk kthehen ata, shteti shqiptar nuk ka udhëheqje”, thekson një tjetër banor.
Fatkeqësisht, mundësia që Lubonja të rikthejë banorët e saj autoktonë, thuajse nuk ekziston dhe për këtë arsye, ky fshat do të mbahet mend si fshati i të internuarve. (A2 Televizion)