
Kompanitë e mëdha janë ushqyesit kryesorë të evazionit fiskal në vend. Dhe këtë nuk e bëjnë të vetme, por në bashkëpunim me audituesit dhe kontabilistët, ata që ligjërisht janë të ngarkuar për të bërë certifikimin e bilanceve. Për ekspertët, këta profesionistë duhet të jenë linja e parë e mbrojtjes ndaj evazionit, gjë që nuk ndodh aktualisht në pjesën dërrmuese të rasteve.
“Është dhe duhet kërkuar te bizneset e mëdha. Shqipëria karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti, pjesë e kontributeve së të cilit është sa paaftësia e audituesve kontabël aq edhe implikimet e institucioneve të tjera duke përfshirë dhe tatim-taksat. Konkluzionet, që një numër i tyre kontribuojnë në rritjen e evazionit është një gjë e njohur”, deklaroi ish ministri Preçi.
Por ndërsa tashmë është ngritur me asistencën e Bankës Botërore, Bordi i Mbikëqyrjes Publike, institucioni shtetëror që do të kontrollojë audituesit dhe kontabilistët, ekspertët janë skeptikë. Ata rendisin disa arsye.
“Jam skeptik për çfarë mund të arrihet, përveçse zëvendësimit të disa kompanive me kompani të tjera. Thelbësore mbetet rritja e kapaciteteve të ekspertizës së audituesve, kryerja realisht e certifikimit të tyre dhe jo zëvendësimi i një monopoli të trashëguar me një monopol të ri nisur nga pushtetarët e radhës. Kështu që nuk shoh dobinë te kontrolli, por e shoh tek adoptimi i përvojave të mira të auditimit”, shtoi Preçi.
Bizneset me dy bilance, një për vete dhe një për shtetin konsiderohen si një ndër problemet kryesore që ka jo vetëm administrata, pasi këto subjekte fshehin të ardhurat dhe rrjedhimisht paguajnë më pak taksa, por edhe për vetë biznesin, i cili penalizohet në sigurimin e kredive nga sistemi bankar.
(A2 Televizion)