Ftohet të vizitojë Kievin, Biden në Europë këtë javë për të ndaluar luftën e Putinit

Nga A2 CNN
21 Mars 2022, 15:48 | Bota
Ftohet të vizitojë Kievin, Biden në Europë këtë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shtojnë përpjekjet për të ndaluar luftën e Rusisë. Në to është përfshirë vetë Presidenti Joe Biden, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me liderët europianë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë diskutoi me Presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin italian, Mario Draghi, dhe atë britanik, Boris Johnson, lidhur me zgjerimin e sanksioneve kundër Moskës dhe ndihmës financiare e ushtarake për Ukrainën.

Konsultime do të mbajë dhe me përfaqësues të sektorit energjetik dhe të karburanteve në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar efektet e luftës në ekonomi. Më pas, të mërkurën, Biden do të udhëtojë për në Europë për samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të marrë pjesë dhe në sesionin special të Këshillit Europian dhe një mbledhje të liderëve të G7-s në Bruksel.

Një ndalesë do të bëjë dhe në Varshavë të Polonisë, jo shumë larg Ukrainës. Biden do të diskutojë me homologun polak, për luftën e Rusisë dhe sigurinë e Europës, si dhe për menaxhimin e krizës humanitare të miliona refugjatëve.

Ftesa për të kaluar kufirin nuk i ka munguar. Petro Poroshenko, ish-president i Ukrainës, tha: “Pse ai nuk eviziton Kievin si një simbol solidariteti?”.

Por, kryeqyteti ukrainas është një zonë lufte aktualisht dhe Biden nuk planifikon të bëjë një ndalesë aty. Opozita republikane ka disa propozime për agjendën e Presidentit amerikan. Mitch McConnell, lider i republikanëve, tha: “Dëshiroj që të shoh presidentin të garantojë siguri për aleatët në bllokun lindor”.

Shtëpia e Bardhë la të hapur mundësinë e dërgimit të më shumë trupave amerikane në kahun lindor të NATO-s, për të rritur forcën e reagimit ndaj çdo kërcënimi të mundshëm rus. Megjithatë, nuk dha sinjale lidhur me furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë, dërgimin e misioneve paqeruajtëse apo vendosjen e një zone ndalim fluturimi mbi qiellin e Ukrainës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos