Ulje emergjente në Luton, helikopteri me Trump dhe Melania në bord pëson defekt në ajër

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 23:48 | Bota

Ulje emergjente në Luton, helikopteri me Trump dhe Melania në bord

Helikopteri presidencial amerikan “Marine One”, me Presidentin Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Melania Trump, në bord, është detyruar të bëjë një ulje emergjente sot në Aeroportin e Luton-it, si pasojë e një defekti teknik.

Sipas burimeve zyrtare për Daily Mail nga Shtëpia e Bardhë, gjatë fluturimit nga rezidenca zyrtare e Kryeministrit britanik në Chequers drejt Aeroportit Stansted, helikopteri ka pësuar një "problem hidraulik", duke detyruar pilotët të bëjnë një ulje të menjëhershme.

Trump dhe Melania u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe u transferuan në një helikopter ndihmës që po fluturonte në formacion me Marine One. Ata më pas e vazhduan rrugën drejt Stansted, ku i priste Air Force One për udhëtimin e kthimit në Shtetet e Bashkuara.

Fatmirësisht, askush nuk pësoi lëndime, dhe Presidenti mbërriti në aeroport vetëm 20 minuta me vonesë. Fotografi nga vendi i ngjarjes tregojnë forca emergjente dhe njësi të armatosura të policisë të vendosura në pistën e Lutonit. Pamje të tjera tregojnë të dy helikopterët presidencialë – Marine One dhe Marine Two – të ndalur pranë pistës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi në një deklaratë zyrtare incidentin.

Për shkak të një problemi të vogël hidraulik dhe nga një kujdes i tepruar, pilotët bënë ulje në një aeroport lokal para mbërritjes në Stansted. Presidenti dhe Zonja e Parë u transferuan në mënyrë të sigurt në helikopterin ndihmës dhe më pas hipën në Air Force One për udhëtimin e kthimit nga Mbretëria e Bashkuar”, tha ajo.

Ky incident i papritur ndodhi në fund të një vizite shtetërore historike në Britani, e dyta për Presidentin Trump si President. Gjatë qëndrimit, ai zhvilloi takime me Mbretin Charles III dhe Kryeministrin britanik Sir Keir Starmer.

Trump ka përdorur helikopterin Marine One për të lëvizur mes rezidencave dhe ngjarjeve të ndryshme gjatë vizitës së tij. Një ndër momentet kulmore ishte konferenca e përbashkët për shtyp në Chequers, ku u diskutuan çështje të ndjeshme si kriza e emigrantëve në Kanalin Anglez, siguria kufitare, si dhe marrëdhëniet transatlantike mes dy vendeve.

Presidenti amerikan ka vlerësuar publikisht “marrëdhënien speciale” mes Britanisë dhe SHBA-së, duke e cilësuar këtë vizitë si një rikthim emocional në "këto ishuj të bukur", për shkak të rrënjëve të tij familjare në Skoci. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos