Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslym Murrizi, është shprehur se kur të hapet gara, do të vendosë nëse do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës ose jo.
Komentet Murrizi i bëri në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha me ironi se nuk ka pse të mos kandodojë, kur garojnë në zgjedhje Sali Berisha nga Tropoja dhe Edi Rama nga Voskopoja.
Ai tha gjithashtu se Lushnja e ka bërë Tiranën kryeqytet, pasi sipas tij, nëse nuk do të ishte mbledhur Kongresi i Lushnjës, kryeqytet do të ishte bërë Belshi.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Pyetje: A keni ambicie për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës?
Murrizi: Kur të hapet gara. Më kanë pyetur ‘ç’ne ti nga Lushnja të kandidosh në Tiranë?’. I kam thënë ‘kur kandidor Berisha nga Tropoja dhe Rama nga Voskopoja, unë ja ku jam 60 kilometra, e kam të ndaluar unë të kandidoj këtu?’. Se këta mendojnë se janë themelues të Bllokut. Që këta e kanë shpikur Tiranën. Lushnja mo Lushnja e ka bërë Tiranën kryeqytet, se do ishte bërë Belshi. Disa burra të mençur në Kongres të Lushnjës thanë ta bëjmë Tiranën. Kur të hapet gara, secili demokrat që aspiron për garë, do e shihni që do të jetë në betejë. (A2 Televizion)