Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg mbrëmjen e sotme ishte e ftuar në emisionin “Rretheqark” nga Rosalba Bejdo, në A2CNN, ku foli mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, me fokus konfliktin e vazhdueshëm në Gaza, ofensivën e re izraelite në qytetin e Gazës, fushatën për njohjen e Palestinës në OKB dhe tensionet me botën arabe.
E pyetur nëse ajo çka po ndodh në Gaza është gjenocid, Peleg tha se po tentohet të demonizohet Izraeli në opinionin ndërkombëtar, por shifrat e fataliteteve në Gaza tregojnë të kundërtën.
“Mendoj se përdorimi i fjalëve gjenocid, apo aparteid ka vetëm një qëllim: ‘Të demonizohet Izraeli’. Nuk mendoj se ndihmon. Nuk mendoj se na çon askund. Ne nuk po kryejmë gjenocid. Folëm për 65 mijë të vrarë. Ju thashë se vetë Hamasi po thotë se gjysma e tyre janë civilë, por le të themi se 65 mijë. Po flasim për më shumë se 2 milionë palestinezë që janë ende atje. Gjenocidi është kur vret njerëz në mënyrë që ata të mos ekzistojnë më. Izraeli kurrë nuk e përcaktoi qëllimin e kësaj lufte për të eliminuar palestinezët, duke i dëbuar nga territoret. Shiko kjo është një gjë. Së dyti, numrat flasin. Dua të them ka një numër në rritje të palestinezëve në Gaza. Edhe gjatë luftës ata kanë lindur. Pra ideja është të demonizohet Izraeli”, u shpreh Peleg në “Rretheqark” nga Rosalba Bejdo, në A2CNN.
Ajo po ashtu tha se në Izrael presin që Gaza të shndërrohet në një parajsë turistike pasi të mposhtet Hamasi, por nënvizoi se plani zhvillimor duhet të kënaqë edhe palestinezët që jetojnë në ato territore.
“Së pari objektivisht është një copë toke e bukur dhe mund të jetë një rivierë e bukur. Por sigurisht është një çështje politike. Nuk e di. Ka shumë thashetheme që qarkullojnë dhe shumë deklarata që qarkullojnë gjatë këtyre dy viteve që hidhen në ajër. Por duhet të jemi praktikë. Ka njerëz që jetojnë atje dhe ndoshta ata do të qëndrojnë atje. Askush nuk po i zhvendos ata, askund. Pra zgjidhja do të duhet të diskutohet me palestinezët në Gaza, me bashkësinë ndërkombëtare, me Izraelin si fqinj, me Egjiptin si fqinj. Mendoj se në Izrael do të donim ta shihnim Gazën të zhvillohej si një vend i vogël, si Hong Kong-u apo Singapori”, tha Peleg në “Rretheqark” nga Rosalba Bejdo, në A2CNN. (A2 Televizion)