Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslym Murrizi, është shprehur se të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve që kanë dalë më dobët se 3 palë zgjedhjet e fundit, duhet të mos jenë më drejtues qarku.
Komentet Murrizi i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se këta drejtues qarku që kanë dalë dobët në zgjedhje, por edhe deputetët që nuk kanë prodhuar politikë, moralisht duhet të heqin dorë edhe nga mandati.
Teksa po ironizonte drejtuesin politik të qarkut Fier, që është zgjedhur edhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, ai tha këta personazhe japin negativitet në zonat respektive.
“Do të votoja një njeri më të pjekur dhe me përvojë sesa Bardhi në krye të Grupit Parlamentar. Ne duhet të themi jemi apo nuk jemi parti e qendrës së djathtë. Nëse jemi, duhet të vëmë disa gjëra në vend. Gjithë drejtuesit e qarqeve, që kanë marrë rezultat më të dobët nga 3 palë zgjedhjet e fundit, duhet të mos jenë absolutisht drejtues qarku.
Negativitet japin duke ardhur në zonat respektive. Kush ka humbur, nuk duhet të jetë më drejtues qarku. Dhe ata që nuk prodhuan politikë gjatë 2 muajve fushatë, por hajde vërdallë pazarit, duhet të ikin, po të kenë moral duhet ta lënë edhe mandatin.
Por unë nuk them për lënie mandati, sepse do thonë që ‘ky thotë kështu, që ishalla t’i mbushet mendja këtyre 4-5, që të vijë radha ime’. T’i mbajnë mandatet, të bëjnë politikë atje dhe të mos bëjnë pazare me Ramën. Gazi thoshte kush do deputet i pavarur të dali më vete. Jo more zotëri, deputeti duhet të jetë i qytetarëve”, tha mes të tjerash Murrizi. (A2 Televizion)