
Në ditën e 16 të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 14 majit, Sali Berisha u ndal në Librazhd me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shefki Çota, teksa Ilir Meta zhvilloi një takim në qytetin e Pogradecit me persona me aftësi të kufizuara.
Nga Librazhdi, Berisha akuzoi kandidatin e PS për këtë bashki se ka kryer korrupsion në postet që ka mbajtur më parë.
“Le të vijë Shefkiu këtu, le të vijë kusho i Taulantit, ai vjen nga xhepat e Taulantit, vjen nga skutat e Edi Ramës. Le të më thotë një i majtë nga Librazhdi, që është pyetur apo ka dhënë votën apo mendim që kushoja të kandidojë për kryetar bashkie.
Ata dolën nga bodrume mafioze dhe ju e patë vetë se çfarë përfaqësojnë”. Berisha i bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë masivisht në 14 maj. “Çdo demokrat e i paparti voton për veten e tij. Ndryshimi është jetik”.
Nga Pogradeci, Ilir Meta akuzoi qeverinë se nuk ka dhënë zërin e duhur në buxhetin e shtetit për personat me aftësi të kufizuara.
“Por çfarë bën qeveria jonë? Në vend të mbështesë punësimin dhe ta stimulojë atë me politika mbështetëse për biznesin privat, dhe veçanërisht të shtojë numrin e të punësuarve në sektorin publik, ku ka edhe mundësi e akses të plotë, në buxhetin afatmesëm 2023-2025, qeveria parashikon të punësojë në sektorin publik, mesatarisht çdo vit, vetëm 70 persona nga grupet e pafavorizuara”.
Meta shpalosi planin e Partisë së Lirisë për personat me aftësi të kufizuara, ku pikat kryesore të programit ishin njohja e kujdestarisë, ilaçet dhe transportin falas.
“Kujdestaria; Terapitë e Zhvillimit në Qendra të Dedikuara; Programet e edukimit dhe mësimit; Trajtimi me barna, transporti falas ndërqytetas”.
Në Pogradec koalicioni “Bashkë fitojmë” garon në zgjedhjet vendore me kandidatin Zini Tollozhina. (A2 Televizion)