
Partitë politike në Kosovë kanë nisur furishëm fushatën për zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 14 shkurt, duke harruar edhe rregullat e pandemisë.
Institucionet monitoruese e cilësojnë papërgjegjshmëri sjelljen e politikanëve duke kërkuar vetëpërmbajtje. Por, përpos këtyre thirrjeve, liderët e partive janë të angazhuar me premtime për fitoren e zgjedhjeve.
Albin Kurti, ndonëse i ndaluar nga KQZ për të qenë kandidat në këto zgjedhje tha gjatë fushatës në Dragash, në praninë e Vjosa Osmanit, se të gjithë e dinë kush do t’i fitojë këto zgjedhje, duke iu kërkuar qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
Ndërkohë, Avdullah Hoti nga LDK, njëherësh kryeministër në detyrë, kërkon votën për të çuar përpara disa projekte të nisura, siç është sipas tij liberalizimi i vizave dhe normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët përmes dialogut.
Po kaq entuziast për fitoren është edhe Ramush Haradinaj, i cili kërkon postin e presidentit në këto zgjedhje. Pjesë të fushatës së tij elektorale Haradianaj ka bërë tashmë edhe paralajmërimin për presidentin serb Vuçiç, të cilit i kërkon të njohë sa më parë Kosovën ose ndryshe, siç shprehet ai, do të kërkojë bashkimin me Shqipërinë.
Fatmir Limaj, kreu i Nismës, nga Gjilani kërkoi që qytetarët të zgjedhin një alternativë të sigurt, pasi Kosova ndodhet në udhëkryq me shumë çështje të pazgjidhura për t’u adresuar.
Ndërkohë, analistet flasin për një situatë jo të mirë, duke nënvizuar se zgjedhjet e shpeshta siç kanë ndodhur me Kosovën, krijojnë imazhin e një shteti jo serioz dhe dëmtojnë ekonominë. (A2 Televizion)