
Doktori Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Ditarit”, në A2 CNN, deklaroi se bisedat mbi politikën bëhen me qëllim që qytetarëve t’i hiqet vëmendja nga problemet e përditshme.
“Kur flet me njerëzit, kupton që hallet janë krejtësisht të tjera. Nuk ka rëndësi sigla apo logo. Pyetja e tyre është: si do ia bëjmë trafikut, si do ia bëjmë që çerdhja të jetë pranë banesës… Ne jemi këtu për gjërat që na bashkojnë. Ne do të shkojmë me njeriun që përfaqëson më shumë. E kemi të qartë që bashkimi bën fuqinë dhe duhen bashkuar njerëz me ide të përbashkëta”, tha Alimehmeti.
“Bisedat politike bëhen që t’i hiqet qytetarëve vëmendja nga problemi, por qytetarëve problemi iu “dhemb”. Objektivi është përmirësimi i jetës i gjithësecilit prej nesh”, shtoi Alimehmeti.
Në lidhje me protestën, Alimehmeti tha: “Protesta është e rëndësishme, pasi kemi një sistem shurdh ndaj kërkesave të opozitës, shoqërisë civile apo qytetarëve. Nuk ka asnjë lloj shteti në botë që të mos ketë qeveri, edhe diktaturat kanë qeveri. Diferencën te një shtet demokratik e bën prezanca e një opozite. Kjo është arsyeja pse ekziston dhe do të vijojë protesta. Përndryshe, ato 800 mijë persona që kanë ikur do të ndiqen nga të tjerë”. (A2 Televizion)