
Në Kuvend mbërriti kërkesa e socialistëve për përjashtimin e Sali Berishës, Flamur Nokës, Belind Këlliçit dhe Edi Palokës për 10 ditë nga punimet e parlamentit për shkak të bllokimit të foltores dhe përdorimit të gjuhës fyese në seancën e shkuar plenare.
“Ne parlamentin nuk e dorëzojmë”. Ky ishte mesazhi që kreu demokrat i drejtoi socialistëve nga mbledhja e kryesisë së PD në selinë blu.
“Ne rezistencën në parlament duhet ta shumëfishojmë. Nuk kemi autoritet për të dorëzuar parlamentin. Ne përfaqësojmë 750 mijë zgjedhës”, tha Berisha.
Nismat e mazhorancës socialiste për të përjashtuar javë pas jave parlamentarë të PD, sipas Berishës synojnë të shtyjnë opozitën drejt bojkotimit të zgjedhjeve.
“Bëhet çdo gjë që të grabiten zgjedhjet, të plaçkiten zgjedhjet. Ne duhet të qëndrojmë ndaj çdo akti, ndaj çdo veprimi, ndaj çdo përpjekje të shkelmimit të ligjit të zgjedhjeve dhe grabitjes së tyre. Ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet”, shtoi ish-kryeministri.
Demokratët nuk do ta rrëzojnë me dhunë qeverinë Rama, pohoi Berisha duke orientuar Kryesinë që t’i shpjegojnë demokratëve pse protestat e PD janë paqësore
Berisha u shpreh se revolucioni është jetik për të çmontuar atë që PD e cilëson regjimin e Edi Ramës. (A2 Televizion)