
U futën në një banesë për të grabitur, por njëri prej tyre ndalohet nga banorët e zonës para se të mbërrijë Policia. Incidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një banesë në fshatin Pllanë të Lezhës.
Dy të rinj hynë brenda oborrit të një shtëpie, por sirena e një ambulance i ka frikësuar dhe duke menduar se ishte një makinë policie u përpoqën të largoheshin me shpejtësi. Pasi u pikasën, disa nga banorët e lagjes u vunë në ndjekje të tyre, duke njoftuar njëri-tjetrin me telefon dhe arritën të bllokonin njërin.
Incidenti fatmirësisht përfundoi pa pasoja, pasi sipas banorëve njëri prej tyre ka qenë i armatosur dhe është parë të hedhë armën dhe një telefon. Ndërsa tjetri ka arritur t’u shpëtojë ndjekësve dhe të largohet në drejtim të malit. I riu është arrestuar nga Policia pas mbërritjes së saj në fshat, ndërsa vijon kontrolli për gjetjen dhe kapjen e grabitësit tjetër.
Vjedhjet e banesave janë kthyer në shqetësim serioz prej kohësh për banorët e Lezhës, pasi janë regjistruar disa në muajt e fundit. (A2 Televizion)