
Tabulatet e telefonit kanë “tradhtuar” Fredi Rrushin, të akuzuarin kryesor për vrasjen dhe zhdukjen e Ruzhdi Shehut. Sipas dosjes së prokurorisë, telefoni i tij mbrëmjen e ngjarjes rezulton të ketë qëndruar gati 2 orë prapa Dajtit, ku u gjet i pajetë dhe i mbuluar me gurë e zhavorr miku i tij.
Referuar hetimit, rezulton se në orën 23:35 minuta të 21 tetorit automjeti ku ndodhej Fredi Rrushi, Ruzhdi Hoxha dhe dy persona të tjerë ka lëvizur nga një lokal në zonën industriale në aksin Tiranë-Durrës, drejt rrugës “Gjergj Legisi” zonë e njohur si “Treshi”.
Sipas dëshmive, në këtë vend kanë zbritur prej tij dy personat e tjerë, ndërsa kanë vijuar lëvizjen Rrushi dhe Hoxha. Në deklarimet në Polici, Rrushi ka pretenduar se pas një xhiroje në zonë Ruzhdi Hoxhën. Por nga analizimi i lëvizjes së telefonit celular të Fredi Rrushit ka rezultuar se rrugëtimi i mjetit të drejtuar prej tij ka lëvizur drejt Spitalit Ushtarak e më tej në rrugën “5 Maji”.
Në orën 00:41 minuta mjeti ka qenë në Kinostudio për të vijuar më tej në Fresk, Qesarakë, Linzë e Rrëza e Dajtit. Në orën 01:18 minuta qeliza e tij telefonike logonte në antenën e Murrizës, zonë prapa Dajtit.
Sipas të dhënave i tillë ka qëndruar deri në orën 02:44 minuta. Prokuroria e Tiranës ka ngritur dyshime se në këtë hark kohor është ekzekutuar, hedhur në greminë dhe mbuluar trupi i biznesmenit. Ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë të mbledhura në këtë itinerar shquhet se në rrugën në drejtim të Dajtit në mjet shquhen dy persona, ndërsa në kthim shquhet vetëm një i tillë në makinë.
Lëvizjet e Rrushit janë konfirmuar edhe nga qeliza e telefonit të viktimës, që pas ngjarjes u hodh nga i dyshuari si autor në zonën e Shkollës së Bashkuar. (A2 Televizion)