
Albert Gajo, ish-zëvendësministri i Integrimit Europian, tha në A2 se në Europë nuk hyhet si një mbetës që përpiqet në momentin e fundit të gjejë miq për të kaluar klasën: “Në përgjithësi, BE dihet që vendimet e rëndësishme në dobi të bllokut i merr me konsensus”.
Gajo bëri një diferencë mes Gjermanisë dhe Francës, se si duhet ta kuptojmë lidershipin e tyre në Europë. sipas tij JO-ja e Francës është e gjithë unionit.
“Kemi një BE që punon në dy drejtime. Kemi lider ekonomik që është Gjermania dhe kemi një lider politik që është Franca. Jo-ja e Francës përkthehet në një ‘’Jo’’ të të gjithë BE, pasi Franca e përcakton axhendën politike të të gjithë unionit. Nuk mund ta konsiderosh Jo-në e Francës si të një vendi periferik’’, deklaroi Gajo.
Edhe Merkel një “Po” me gjysmë zëri tha, sipas ekspertit të çështjeve të integrimit dhe ekonomisë. “Si shqiptarë, e dimë shumë mirë që edhe Reforma në Drejtësi nuk po zbatohet, jo për faj të Francës dhe Gjermanisë, por për faj se ne nuk gjejmë dot 10 gjyqtarë që të kalojnë vetting-un. Kjo sepse vetë sistemi që ka krijuar politika, ka prodhuar një gjyqësor e prokurori që nuk gjen dot 10 figura të sakta. Është produkt skarco që nuk mund ta shesim si produkt të mirë në BE”.
Sipas Gajos, edhe presioni i qeverisë “na pranoni se do shkasim’’ është pa bazë. Nuk ka më rrëshqitje, nuk ka më blloqe si në vitet ‘70. BE nuk trembet më as nga Kina dhe as nga Rusia, deklaroi ai. (A2 Televizion)