
Pavarësisht ultimatumit që komisioni i rithemelimit të PD i bëri Lulzim Bashës për të liruar zyrën deri në 5 janar, kreu demokrat ka vendosur të vazhdojë punën duke avancuar me zgjedhjet e drejtuesve në dy organizatat partnere, atë të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit rinor të PD. Për këtë të fundit, grupi i punës që kujdeset për procesin zgjedhor bëri të ditur kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët.
“Të jetë individ me integritet të lartë moral dhe profesional. Të ketë përfunduar arsim e lartë (ose ne proces për nivelet lokale. Të ofrojë shanse reale për të ngritur në një nivel të lartë veprimtarinë e FRPD. Të mos jetë anëtar i Grupit të Punës i deleguar për procesin zgjedhor në FRPD. Të mos jetë mbi moshën 30 vjeç afati i paraqitjes dhe propozimeve të kandidaturave për nivelin lokal dhe qendror pranë Grupit Qendror të Punës është deri më datë 31 janar 2022”.
Gratë demokrate kanë tashmë edhe datën e caktuar për zgjedhjen e kryetares së forumit, që duhet të zëvendësojë Albana Vokshin.
“Një periudhë që vijon nga data 5 janar rreth 3 javore procesi më i rëndësishëm për Lidhjen Demokratike të Gruas dhe zgjedhjet që do të vijojnë në të, është ai që ka të bëjë me analizën dhe performancën dhe anëtarësimet e reja. Në datë 6 shkurt 2022, ditë e diel do të zhvillohen zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë për kryetare të LDG në nivel dege e po ashtu pas datës 6 do të hapim një fushatë në nivel qarku për të nisur atë që është gara nëpërmjet primareve, debatit të bukur, konstruktiv, për të shkuar më në fund në datën 19 shkurt që do të kulmojë me zgjedhjen e kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas”.
Drejtuesit e këtyre dy forumeve dolën në krah të Sali Berishës, duke u distancuar nga Lulzim Basha. Për këtë, kryetari i partisë vendosi zhvillimin e zgjedhjeve të reja sa i përket të rinjve demokratë, ashtu edhe mes grave të partisë. (A2 Televizion)