
Partia e Lirisë nisi fushatën për zgjedhjet vendore. Ndonëse 10 muaj përpara datës hipotetike të zgjedhjeve, Ilir Meta mblodhi strukturat e kryeqytetit duke renditur problematikat e jetesës në kryeqytet. Por fushata kërkon edhe një kandidat dhe ligjërimi i Metës duket se la të kuptohet se ai vetëm mund të jetë kandidati që do të rivalizojë PS-në.
Ilir Meta ndezi motorin elektoral të Partisë së Lirisë për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ndonëse jemi gati 10 muaj larg një date hipotetike zgjedhjesh, kjo forcë politike nisi përgatitjet për betejën e ardhshme zgjedhore, betejë të cilën duhet ta udhëheq një kandidat.
“Siç shemba në emër të ligjit, në emër të së ardhmes të Tiranës gjithë ato kioskat e të gjithë fortëve të Tiranës që ishin te parku rinia, kështu do të shemb i pari unë dhe të gjithë ju dhe nja 1 milionë qytetarë të Tiranës së bashku këtë kalbësirë regjim”, u shpreh Meta.
Ligjërata e Ilir Metës la të kuptohet se ai vetë mund të jetë kandidati potencial përballë socialistëve që qeverisin kryeqytetin që nga viti 2015 duke renditur për gati një orë problematikat e kryeqytetit, që nga cilësia e ajrit, trafiku i rënduare deri tek kondicionerët e transportit urban. Por ajo që përforcoi më shumë këtë ide ishte krenaria me të cilën Ilir Meta tregoi se ishte rritur në një nga zonat autoktone të Tiranës.
Më i forti për Ilir Metën nuk është Edi Rama për të cilin tha se do të mbajë përgjegjësi për firmat e hedhura. Zgjedhjet e ardhshme do të jetë një nga të dielat mes 16 prillit dhe 14 majit. (A2 Televizion)